Shkodra vijon të konfirmohet si një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas dhe të huaj, veçanërisht gjatë sezonit veror. Trashëgimia e pasur kulturore, monumentet, zonat historike dhe sitet arkeologjike janë ndër pikat që tërheqin vazhdimisht vizitorë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, evidenton interesin që turistët tregojnë për pasuritë kulturore dhe historike të zonës. Ruajtja dhe promovimi i këtyre vlerave mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit kulturor në Shkodër. 

Një shtysë tjetër për frekuentimin e monumenteve dhe hapësirave historike janë edhe aktivitetet artistike e kulturore që zhvillohen pranë tyre. Ndërthurja e trashëgimisë me eventet synon jo vetëm gjallërimin e jetës kulturore, por edhe promovimin e këtyre hapësirave për vizitorët.

Edhe përgjatë sezonit veror, Shkodra mbetet një destinacion i kërkuar, duke ndërthurur turizmin kulturor me atë natyror dhe ofertën e aktiviteteve artistike. Trashëgimia historike vijon të jetë një prej pikave të forta të ofertës turistike të qytetit dhe të gjithë qarkut.