Dy persona që rrezikonin të mbyteshin në det janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në plazhin e Velipojës. Ndërhyrja u bë gjatë monitorimit të vijës bregdetare nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër.
Sipas policisë, gjatë patrullimit u konstatuan dy shtetas, 67 dhe 41 vjeç, të cilët ndodheshin në vështirësi në det dhe rrezikonin të mbyteshin.
Punonjësit e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë me mjete lundruese Jet Ski, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre të sigurt nga uji.
Në kuadër të sezonit veror, shërbimet e DVKM Shkodër po monitorojnë intensivisht zonat bregdetare me dronë dhe mjete lundruese, me synim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.
Policia Kufitare bën të ditur se monitorimi i vijës bregdetare do të vijojë, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo situate emergjente.
Qytetarëve u kërkohet që për çdo rast rreziku apo situatë që cenon sigurinë e pushuesve të njoftojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112.
