Radio Televizioni Shqiptar ka nisur zyrtarisht përgatitjet për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare. Netët finale të festivalit do të zhvillohen gjatë muajit dhjetor. RTSH ka hapur thirrjen për krijuesit, kompozitorët dhe interpretuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët do të kenë mundësi të paraqesin krijimet e tyre për edicionin e ri. 

Një nga kushtet kryesore të konkurrimit lidhet me origjinalitetin e këngëve. Veprat e dorëzuara duhet të jenë tërësisht origjinale dhe të mos jenë publikuar më parë në asnjë platformë. Rregullorja parashikon gjithashtu ndalimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale për realizimin dhe prodhimin e këngëve pjesëmarrëse. RTSH synon të mbrojë krijimtarinë artistike, autorësinë dhe të garantojë një konkurrim të bazuar te puna e artistëve.

Aplikimet do të hapen më 22 shtator dhe do të pranohen deri më 27 shtator. Procesi do të zhvillohet online përmes formularëve të posaçëm, ndërsa artistët duhet të njihen paraprakisht me rregulloren dhe kushtet e konkurrimit. Me nisjen e fazës përgatitore, Festivali i Këngës hyn në rrugëtimin drejt edicionit të tij të 65-të, duke vijuar traditën shumëvjeçare të promovimit të muzikës së lehtë shqiptare.