Sezoni veror dhe fluksi i shtuar i automjeteve kanë krijuar ngarkesë në qarkullimin rrugor të Shkodrës. Përveç numrit të lartë të mjeteve në lëvizje, një nga problematikat kryesore mbeten parkimet dyshe në arteriet më të rëndësishme të qytetit.
Shefi i Policisë Rrugore, Ermal Zenelaj, thekson se strukturat e policisë janë të angazhuara në terren për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve. Sipas tij, parkimet dyshe pengojnë qarkullimin normal dhe krijojnë radhë të gjata automjetesh, ndaj nuk do të ketë tolerim për drejtuesit që bllokojnë rrugët.
Në kontrollin e trafikut, policisë po i vjen në ndihmë edhe teknologjia. Zenelaj bën të ditur se pajisjet dhe mjetet teknologjike po përdoren për evidentimin më të shpejtë të shkeljeve, si dhe për identifikimin e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjatë muajve të verës, rikthimi i emigrantëve dhe rritja e numrit të turistëve sjellin një fluks më të lartë lëvizjeje në akset kryesore të kryeqendrës së veriut. Policia Rrugore apelon për respektimin e sinjalistikës dhe shmangien e parkimeve që pengojnë qarkullimin.
