Galeria e Arteve Shkodër ruan edhe këtë sezon veror traditën e ekspozimit të veprave të fondit të saj artistik. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri në muajin shtator, përmbledh rreth 50 vepra të autorëve të njohur të artit pamor shqiptar.

Një pjesë e punimeve prezantohen për herë të parë për publikun, duke sjellë në vëmendje krijime me vlera të veçanta artistike, kulturore dhe historike. Veprat mbajnë firmën e emrave të spikatur nga Shkodra dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa përfaqësojnë periudha dhe rryma të ndryshme të artit pamor.

Përgjegjësi i Galerisë së Arteve Shkodër, Fatmir Juka, evidenton rëndësinë e nxjerrjes së këtyre veprave nga fondi dhe ekspozimit të tyre për publikun. Sipas tij, kjo nismë ndihmon në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shkodrës, por edhe të artit shqiptar në tërësi.

Ekspozita u jep mundësi qytetarëve dhe turistëve që vizitojnë Shkodrën gjatë muajve të verës të njihen nga afër me një pjesë të rëndësishme të pasurisë artistike të ruajtur ndër vite në galeri.

Galeria e Arteve Shkodër ka përmbyllur gjysmën e parë të kalendarit artistik me një sërë ekspozitash dhe veprimtarish, të cilat kanë pasur në fokus promovimin e artit pamor dhe krijuesve vendas e kombëtarë.

Ndërkohë, ekspozimi i veprave të fondit mbetet një nga aktivitetet kryesore të sezonit veror, duke sjellë për publikun punime që dëshmojnë zhvillimin dhe vazhdimësinë e traditës artistike shqiptare.