Vllaznia e femrave nuk ka arritur të sigurojë kualifikimin për në finalen e grupit të raundit të dytë të UEFA Women’s Champions League, pasi u mposht me rezultatin 2-1 nga kampionet sllovake të Spartak Myjava në ndeshjen e zhvilluar në Qipro.
Skuadra sllovake kaloi në avantazh në minutën e 42-të, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 0-1. Në fraksionin e dytë, Spartak Myjava dyfishoi shifrat në minutën e 68-të, duke marrë një epërsi të rëndësishme në sfidë.
Vllaznia reagoi gjashtë minuta më vonë me kapitenen Megi Doçi, e cila shënoi një gol të bukur me një goditje të fortë nga distanca. Topi, pas një devijimi nga portierja kundërshtare, përfundoi në rrjetë, duke rikthyer shpresat për ekipin shkodran.
Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, vajzat kuqeblu nuk arritën të gjenin golin e barazimit dhe u detyruan ta mbyllnin sfidën me humbje.
Pas këtij rezultati, Vllaznia mbetet jashtë finales së grupit dhe do të zbresë sërish në fushë më 8 gusht, kur do të përballet me Apollon Limassol në ndeshjen e fundit të këtij raundi të UEFA Women’s Champions League.
