Fluksi i shtuar i automjeteve gjatë sezonit veror ka rritur ndjeshëm qarkullimin në rrugët e Shkodrës. Rikthimi i emigrantëve dhe numri në rritje i turistëve kanë sjellë ngarkesë të madhe, veçanërisht në akset kryesore dhe hyrje-daljet e qytetit.

Për të përballuar situatën, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë vënë në zbatim një plan të përbashkët masash, me synim lehtësimin e trafikut dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt.

Efektivët e policisë janë të angazhuar në terren, ku monitorojnë vazhdimisht situatën dhe ndërhyjnë në pikat më problematike për të shmangur bllokimet dhe për të disiplinuar lëvizjen e mjeteve.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë mirëkuptim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të policisë, në mënyrë që trafiku gjatë sezonit veror të menaxhohet sa më mirë.