Lulishtja e lagjes Xhabije në Shkodër është pasuruar me një kënd të ri lojërash për fëmijët, falë një bashkëpunimi mes Bashkisë Shkodër dhe Shkollës së Mesme Profesionale “Kolë Margjini”. Hapësira e re synon t’u ofrojë më të vegjëlve një ambient të sigurt dhe argëtues për të kaluar kohën e lirë.

Lodrat janë punuar nga 20 nxënës të drejtimit të përpunimit të drurit në shkollën profesionale “Kolë Margjini”, nën drejtimin e instruktorit Çesk Rakaj dhe me mbështetjen e drejtoreshës Albana Lleshaj. Ndërkohë, Bashkia Shkodër siguroi materialet e nevojshme dhe u kujdes për vendosjen e këndit të lojërave në terren.

Përveç krijimit të një hapësire të re rekreative për fëmijët, kjo nismë shërben edhe si një model i bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe arsimit profesional. Ajo promovon përfshirjen e të rinjve në projekte me ndikim në komunitet, duke nxitur njëkohësisht kujdesin dhe përgjegjësinë për hapësirat publike.