Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka bërë publike kalendarin e regjistrimeve dhe konkurseve të pranimit për disa nga programet e studimit që kërkojnë testim praktik në Fakultetin e Shkencave të Edukimit.
Për programet Pikturë dhe Grafikë si edhe Pedagogji Muzikore, regjistrimet do të zhvillohen më 17 gusht, nga ora 08:00 deri në 13:00, pranë sekretarisë mësimore të Fakultetit të Shkencave të Edukimit. Konkursi i pranimit për të dy programet do të mbahet më 18 gusht, në orën 09:00, përkatësisht në Atelienë e Grafikës dhe në Departamentin e Arteve.


Ndërkohë, për programin Edukim Fizik dhe Sporte, regjistrimet do të zhvillohen në datat 17, 18 dhe 19 gusht, ndërsa konkursi i pranimit do të mbahet më 20 gusht, në orën 09:00, në Pallatin e Sporteve “Qazim Dervishi”.

Këto programe vijojnë të jenë pjesë e ofertës akademike të Universitetit të Shkodrës për të rinjtë që synojnë të ndjekin studime në fushën e arteve, muzikës dhe sportit. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet përmes konkurseve të pranimit, të cilat testojnë aftësitë praktike dhe përgatitjen e tyre në secilën prej këtyre fushave.
Universiteti u bën thirrje të gjithë kandidatëve të respektojnë afatet dhe dokumentacionin e kërkuar, për të marrë pjesë në konkurset e pranimit për vitin e ri akademik.
