Vllaznia dha sinjale pozitive duke marrë një fitore bindëse 3-0 ndaj Laçit në ndeshjen miqësore të zhvilluar këtë të mërkurë në stadiumin “Loro Boriçi”. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini zgjidhi gjithçka në pjesën e dytë, ku dominoi lojën dhe realizoi tre gola.

45 minutat e para u zhvilluan me ritëm të mirë, ndërsa të dyja skuadrat krijuan raste për shënim, por pa arritur të konkretizonin. Vllaznia dhe Laçi kërkuan të kontrollonin lojën, megjithatë mbrojtjet respektive dhe mungesa e saktësisë në finalizim bënë që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola.

Në fraksionin e dytë kuqeblutë rritën ndjeshëm intensitetin dhe gjetën avantazhin në minutën e 70-të. Ish-sulmuesi i Tiranës, Amin Tahiri, zhbllokoi rezultatin, duke finalizuar me sukses një aksion të skuadrës shkodrane.

Vetëm tetë minuta më vonë, Edon Murataj realizoi një supergol me një goditje të fuqishme nga distanca, duke dyfishuar shifrat dhe duke i dhënë Vllaznisë kontroll të plotë të ndeshjes.

Kur sfida po i afrohej fundit, në minutën e 89-të, Tahiri u rikthye sërish protagonist. Sulmuesi realizoi golin e dytë personal, duke kompletuar dopietën dhe vulosur fitoren e pastër 3-0 të Vllaznisë.

Pas përfundimit të ndeshjes, zëvendëstrajneri i kuqebluve, Ergi Borshi, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se ekipi po përvetëson gradualisht idetë e stafit teknik. Ai vlerësoi gjithashtu integrimin e futbollistëve të afruar gjatë merkatos, duke u shprehur optimist se me kalimin e kohës ata do të përshtaten edhe më mirë me grupin.

Nga ana tjetër, trajneri i Laçit, Qatip Osmani, pranoi se skuadra e tij ka ende punë për të bërë përpara nisjes së sezonit zyrtar. Sipas tij, kjo miqësore shërbeu për të evidentuar mangësitë që duhet të korrigjohen në ditët në vijim.

Vllaznia do të vijojë përgatitjet me një tjetër ndeshje miqësore ndaj Burrelit, ndërsa më pas skuadra shkodrane do të zhvendoset në Pukë, ku do të zhvillojë fazën e fundit përgatitore përpara startit të kampionatit.