Shkodra mund të bëhet së shpejti qyteti ku do të hapet një zyrë konsullore e Serbisë, pas një marrëveshjeje në parim të arritur mes autoriteteve shqiptare dhe atyre serbe.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, i cili deklaroi se gjatë bisedimeve me ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, është rënë dakord në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe në Bujanoc.
Duke folur për Radio Beogradin, Gjuriç i cilësoi bisedimet me homologun shqiptar si shumë konstruktive, duke theksuar se kjo nismë synon forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe lehtësimin e shërbimeve konsullore për qytetarët.
Nëse marrëveshja finalizohet dhe vihet në zbatim, Shkodra do të ketë për herë të parë një zyrë konsullore të Serbisë, ndërsa në Bujanoc do të hapet një zyrë konsullore shqiptare. Deri më tani nuk janë bërë publike afatet për zbatimin e kësaj marrëveshjeje apo detaje të tjera mbi funksionimin e këtyre përfaqësive.
