Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e kësaj të mërkure në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Bashkinë Shkodër, ku një banesë është përfshirë nga flakët.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Shkodrës, zjarri ka rënë rreth orës 13:10 në banesën në pronësi të shtetasit B. Ç. Si pasojë e flakëve, dyshohet se kanë humbur jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Banesa është djegur plotësisht, ndërsa terreni i vështirë malor ka penguar ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse. Objekti ndodhet rreth 30 minuta në këmbë nga rruga automobilistike dhe, në momentin kur forcat zjarrfikëse kanë mbërritur, banesa ishte shkrumbuar.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, punonjësit zjarrfikës dhe grupi hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

Komunikata zyrtare e DVP Shkodër

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.

Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Për ngjarjen e rëndë në fshatin Domen reagoi edhe kryebashkiaku Beci në rrjetet sociale

Me dhimbje të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë që goditi familjen në Domën e Postribës, ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur.
Në këto momente të rënda, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit që po përjeton këtë dhimbje të madhe.
Lutem që Zoti t'u japë forcë për ta përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme, ndërsa shpreh mirënjohje për të gjitha strukturat që u angazhuan në vendngjarje. 🤲