Oborri karakteristik i Qendrës Rinore “Arka” u mbush mbrëmjen e së martës me dashamirës të muzikës klasike, të cilët ndoqën me interes interpretimin e kryeveprës “Katër Stinët” të Antonio Vivaldit. Koncerti, i sjellë nga Ansambli i Harqeve “Harmonia Albanica”, krijoi një atmosferë të veçantë, ku muzika, poezia dhe arkitektura tradicionale shkodrane u ndërthurën në një përjetim artistik unik.

Mbrëmja u shoqërua me një pjesëmarrje të lartë të publikut, i cili duartrokiti gjatë interpretimet e artistëve dhe vlerësoi cilësinë e koncertit të zhvilluar në një nga hapësirat më karakteristike kulturore të qytetit.

Udhëheqësi artistik Dritan Mlika e cilësoi këtë koncert si një mundësi për ta afruar muzikën klasike me publikun dhe për ta sjellë atë në ambiente që krijojnë një lidhje më të ngushtë mes artistëve dhe spektatorëve.

Dirigjentja Kristi Ndoja u shpreh se interpretimi i “Katër Stinëve” në një oborr tradicional shkodran i jep veprës një dimension të veçantë artistik, duke e bërë përvojën edhe më emocionale për publikun.

Ndërsa mjeshtri i violinës Lorenc Radovani theksoi rëndësinë e interpretimit të repertorit klasik në qytete me traditë kulturore si Shkodra, duke vlerësuar mikpritjen dhe reagimin e ngrohtë të publikut.

Koncerti dëshmoi edhe një herë se Shkodra mbetet një nga qendrat më aktive të jetës artistike në vend, ku veprat e muzikës klasike vijojnë të gjejnë një publik të interesuar dhe vlerësues.