Nga Rozafa Shpuza

Ka koncerte që mbërrijnë me bujë: me postera të mëdhenj, reklama farfuritëse, salla luksoze, ndriçim të sofistikuem e foni të kushtueshme. E ka edhe koncerte që ndodhin në heshtje, në nji oborr karakteristik shkodran, mes muresh guri e nji pusi të vjetër, ku koha duket sikur ka vendosë me pushue.

Në njenën qoshe rri nji shpi e moçme. Pullazi i saj i derdh tjegullat e kuqe deri poshtë, tue krijue nji strehë të gjanë. Poshtë asaj strehe asht vendosë orkestra. Nuk ka perde kadifeje, as skenografi të ndërlikueme. Vetë oborri asht skena. Vetë nata asht tavani i sallës.

Në atë orkestër ka mjeshtra me famë ndërkombëtare e muzikantë të rij që sapo kanë nisë rrugëtimin e tyne. Të gjithë bashkë i japin frymë “Katër Stinëve” të Vivaldit, asaj vepre që prej tre shekujsh vazhdon me frymëzue.

Papritë ndodh ajo që nuk e ka parashikue as kompozitori e as dirigjenti. Nji gjinkallë fillon me këndue. Ajo nuk e di kush asht Vivaldi. Nuk e njeh randësinë e koncertit, as heshtjen e thellë të spektatorëve që ndjekin çdo frazë muzikore. Ajo thjesht i bindet instinktit të vet. I këndon verës.

E megjithatë, askush nuk bezdiset. Përkundrazi. Për disa çaste duket sikur ajo nuk asht ma nji zhurmë e rastit. Bahet nji instrument i padukshëm i orkestrës. Hyn e del mes violinave, si me pasë lexue partiturën. Vera e saj përzihet me pranverën, me vjeshtën e me dimnin e Vivaldit, derisa katër stinët nuk janë ma vetëm muzikë, por vetë jeta.

Atëherë kupton se koncertet e mëdha nuk maten me madhështinë e sallës, por me aftësinë që kanë me e ba natyrën pjesë të artit. Në atë oborr shkodran nuk ishin veç artistët që interpretuan Vivaldin; ishte edhe nata, era që lëkundte gjethet, mushqet e mureve të gurta, aroma e tjegullave të nxeme prej vapës së ditës… e deri edhe gjinkalla, që pa e ditë, po luente rolin e saj.

Ndoshta kjo ishte arsyeja pse muzika tingëllonte ndryshe. Sepse nuk vinte vetëm prej violinave. Ajo vinte prej vetë oborrit. Dhe kur nota e fundit u shue në ajrin e ngrohtë të korrikut, gjinkalla vazhdoi këngën e saj për pak çaste, sikur nuk donte me e lanë mbramjen me mbarue. Ishte duartrokitja e natyrës për Vivaldin. Një duartrokitje që nuk bahet me shuplaka, por me shpirt.