Kalaja e Rozafës vijon të mbetet një nga destinacionet kulturore më të vizituara në Shqipëri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Parku Arkeologjik i Shkodrës priti 84,472 vizitorë gjatë periudhës janar–qershor 2026.
Me këtë numër vizitorësh, siti kulturor shkodran renditet i treti në rang kombëtar, pas Parkut Kombëtar të Butrintit, i cili regjistroi 114,084 vizitorë, dhe Kalasë së Gjirokastrës me 110,156 vizitorë.
Pas Rozafës në listën e pesë siteve më të frekuentuara renditen Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, me 66,116 vizitorë, dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë, me 65,832 vizitorë.
Të dhënat konfirmojnë interesin e lartë të turistëve vendas dhe të huaj për Kalanë e Rozafës, një nga monumentet më përfaqësuese të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Shkodrës.
Në shkallë vendi, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, sitet kulturore u vizituan nga 617,907 persona, ose 89% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Megjithatë, Ministria evidenton një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë muajit qershor.
Renditja e Rozafës mes tre siteve më të vizituara në Shqipëri përforcon rolin e saj si një nga atraksionet kryesore turistike të Shkodrës dhe si një pikë e rëndësishme e ofertës kulturore kombëtare.

