Teatri “Migjeni” ka mbyllur me rezultate pozitive gjysmën e parë të vitit 2026, duke regjistruar rreth 20 mijë spektatorë, 73 shfaqje, pesë premiera dhe dhjetëra aktivitete artistike e edukative.

Shifrat dëshmojnë një sezon intensiv dhe konfirmojnë rolin e këtij institucioni si një prej qendrave kulturore më aktive dhe më të rëndësishme në vend. Gjatë gjashtëmujorit të parë, skena e teatrit ka mirëpritur produksione të ndryshme, artistë, të rinj dhe publik të grupmoshave të ndryshme.

Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Gerti Palali, vlerëson ecurinë e deritanishme, ndërsa thekson se rezultatet janë fryt i punës dhe përkushtimit të gjithë trupës artistike dhe stafit të institucionit.

Sipas Palalit, puna po vijon edhe për projektet që do të realizohen gjatë pjesës së dytë të vitit. Sezoni i ri pritet të sjellë premiera të tjera, aktivitete artistike, programe edukative dhe surpriza për publikun shkodran.

Me një kalendar të pasur dhe synimin për ta zgjeruar më tej ofertën kulturore, Teatri “Migjeni” kërkon ta mbyllë vitin 2026 me më shumë shfaqje, emocione dhe një numër edhe më të lartë spektatorësh.