Shkodra u bë mbrëmjen e kësaj të hëne një nga ndalesat e “Kolonës për Palestinën”, një nismë paqësore që bashkon aktivistë, vullnetarë humanitarë dhe mbështetës nga vende të ndryshme të Europës në një rrugëtim solidariteti drejt Palestinës.

Takimi u zhvillua në sheshin përpara Bashkisë Shkodër, ku qytetarë iu bashkuan pjesëmarrësve për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj popullit palestinez dhe për të përcjellë mesazhe në favor të paqes, solidaritetit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Kolona po kalon nëpër disa vende europiane në rrugën e saj drejt Stambollit, ku do të bashkohen pjesëmarrës nga shtete të ndryshme përpara vijimit të etapës së ardhshme të misionit.

Organizatorët theksuan se kjo nismë synon të ndërgjegjësojë opinionin publik për situatën humanitare në Palestinë dhe të përcjellë një mesazh uniteti e mbështetjeje për civilët e prekur nga konflikti. Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit apeluan për paqe, respektim të të drejtave të njeriut dhe solidaritet ndërkombëtar.