Nga Qamil Gjyrezi

Tonin Tarnaku, kompozitori dhe fizarmonicisti shumë i talentuar shkodran, ka qenë një prej muzikantëve të persekutuar nga diktatura komuniste. Përfaqësuesit e ish-Sigurimit të Shtetit nuk e lejuan të studionte në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova”, por ai arriti të studionte me sukses në konservatorë prestigjiozë në Itali.

Me Tonin Tërnakun kemi luajtur muzikë para viteve ’90 në dasmat shkodrane.

Po publikoj, pa lejen e kompozitorit Tonin Tarnaku, një status të tij në Facebook. Tonini ka shkruar një koment me vlera muzikologjike dhe artistike për operën “Rozafa” dhe kompozitorin Ndoc Pistulli:

“Opera ‘Rozafa’ ma në fund u vu në skenë!

E të mendosh se do të kishte qenë e udhës të vihej e para në skenë pas shembjes së regjimit komunist, pasi autorët e saj ishin kundërshtarë të tij…

Sa vonë u njohën lexuesit dhe dashamirësit e artit me veprën e Zef Zorbës, një zë aq origjinal i letërsisë shqiptare, dhe me sa vonesë, më në fund, po i dëgjojmë tingujt e Ndoc Pistullit në operën ‘Rozafa’, me libret të Zef Zorbës.

Si një sekuencë filmike, po kujtoj disa elemente që, në mënyrë domethënëse, lidhen mes tyre.

Lec Kurti, në vitin 1915, kishte kompozuar operën ‘Arbëresha’, me tekst të tij. Prej saj ruhen disa skena nga akti i parë. Ndoshta opera ishte përfunduar plotësisht, pasi gjenden edhe skica e fragmente orkestrimi për orkestër të plotë simfonike, por kjo mbetet një hamendësim, pasi është e pamundur të vërtetohet.

Opera ‘Arbëresha’ është opera e parë e shkruar nga një kompozitor shqiptar, por mbeti në letër dhe nuk e pa dritën e skenës.

Në Teatrin ‘Migjeni’ të Shkodrës, më 1 dhjetor 1958, u vu në skenë opera ‘Mrika’ e Prenkë Jakovës, me libret të Llazar Siliqit. Në fund të shfaqjes, e cila u kthye në një triumf, këmbënguljes gjithnjë në rritje të publikut të zjarrtë iu shtuan më vonë edhe urimet e vetë artistëve amatorë interpretues, të cilët përgëzonin me gjithë zemër kompozitorin e tyre për suksesin e merituar.

Mes tyre ishte edhe orkestranti më i ri, pianisti 16-vjeçar, i cili ndoshta në ato çaste u zotua me vete se edhe ai do të shkruante një operë.

Dhe Ndoc Pistulli vërtet e shkroi atë, mbi libretin e regjisorit Zef Zorba, i cili kishte vënë në skenë edhe krijimin e Prenkë Jakovës ‘Juda Makabe’, mbi tekstin e At Gjergj Fishtës.

Fatmirësisht, pas një pritjeje tepër të gjatë, opera ‘Rozafa’ më në fund mbërriti të shfaqej dhe të korrte suksesin e publikut.

Nderim për autorët Ndoc Pistulli dhe Zef Zorba, mirënjohje për të gjithë ata që mundësuan ngjitjen e saj në skenë dhe suksese të mëtejshme për të gjithë realizuesit.”

Për këtë arritje historike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit duhet të falënderohen të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht dirigjenti i talentuar Gridi Kraja dhe regjisori Andis Gjoni.