“Logu i Bjeshkëve” 2026 do të rikthejë më 9 gusht atmosferën e festës tradicionale në Qafën e Predelecit, Kelmend, duke mbledhur artistë, këngëtarë dhe qindra vizitorë nga Shqipëria e më gjerë. I cilësuar si një nga festivalet më unikë të vendit, aktiviteti synon të promovojë kulturën, traditat dhe identitetin e Malësisë së Madhe.
Një nga momentet më të veçanta të festës do të jetë gara e vajzave të veshura me xhubletën martesore, veshje e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe simbol i identitetit kombëtar.
Programi artistik do të sjellë në skenë emra të njohur të muzikës popullore, mes tyre Gëzim Nikën dhe Vida Kunorën, ndërsa aktori i mirënjohur Çun Lajçi do t’i bashkohet festivalit me interpretimet e tij artistike.
Organizatorët premtojnë një ditë të mbushur me muzikë tradicionale, valle, rite dhe zakone që kanë ruajtur ndër breza frymën e Malësisë së Madhe, duke e kthyer Logun e Bjeshkëve në një festë të trashëgimisë kulturore shqiptare.
