Sulmet kibernetike që kanë goditur vendin nuk kanë kursyer as arkivin online të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Megjithatë, drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni, bën të ditur se puna për rikthimin e tij po vijon dhe se arkivi pritet të jetë sërish i plotë dhe i aksesueshëm deri në fund të këtij viti.

Krahas rikthimit të arkivit online, muzeu po vijon punën me proceset që garantojnë mbrojtjen afatgjatë të fondit fotografik. Konservimi, katalogimi dhe digjitalizimi konsiderohen ndër hallkat më të rëndësishme për ruajtjen dhe administrimin e kësaj pasurie kombëtare.

Sipas drejtorit Luçjan Bedeni, i gjithë procesi i konservimit të arkivit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” parashikohet të përfundojë në dhjetor të vitit 2027.

Koleksioni i Muzeut “Marubi” përmban mbi 500 mijë negativë në xham dhe celuloid. Ky fond e rendit institucionin ndër arkivat më të pasura dhe më të rëndësishme të fotografisë në Europën Juglindore.