Vllaznia është mundur 2-1 nga FK Otrant Olympic në miqësoren e zhvilluar pasditen e së shtunës në stadiumin “Olympic” të Ulqinit. Takimi u ndoq nga tifozë vendas, por edhe nga mbështetës kuqeblu që kishin udhëtuar nga Shkodra.

Skuadra ulqinake e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0. Në fraksionin e dytë, Vllaznia reagoi dhe arriti të barazonte me anë të Muratajt, i cili ishte aktivizuar pas pushimit. Rezultati 1-1 qëndroi në fuqi për pjesën më të madhe të takimit, por në minutat e fundit një pasiguri në prapavijën shkodrane i dha mundësi Otrantit të shënonte golin e fitores.

Trajneri Edi Martini e nisi ndeshjen me formacionin: Jukaj, Pusi, Latifi, Dëumfour, Sokol Uldedaj, Bardhi, Marku, Qato, Kobiljar, Perez dhe Zouhoule. Qëllimi kryesor ishte testimi i futbollistëve të rinj të afruar gjatë merkatos verore. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe lojtarë të tjerë, mes tyre Murataj, autori i golit të vetëm për Vllazninë.

Kjo ishte miqësorja e parë e kuqebluve pas eliminimit nga kompeticionet europiane. Deri në nisjen e kampionatit, Vllaznia pritet të zhvillojë edhe disa takime të tjera përgatitore, ndërsa testi i radhës është planifikuar ndaj Laçit të mërkurën e ardhshme.