Në qendër të Shkodrës ndodhet muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i pari muze kujtese në Shqipëri i ngritur për të ruajtur dhe dokumentuar persekutimin politik gjatë regjimit komunist.
Ndërtesa, e ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit XIX, ka shërbyer fillimisht si Kolegj Françeskan, ndërsa pas vendosjes së regjimit komunist u kthye në selinë e Degës së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, ku për dekada u mbajtën dhe u hetuan të burgosur politikë.
Që prej vitit 2014, godina është shndërruar në muze. Vizitorët njihen me historinë e persekutimit përmes hartës së burgjeve komuniste në Shkodër, dokumentarëve, bibliotekës dhe ekspozitës me objekte, dorëshkrime e letra të ish-të burgosurve politikë.
Pjesa më e veçantë e muzeut mbeten qelitë origjinale të paraburgimit, të njohura si “birucat”, si edhe dhoma e torturave, ku ruhen disa nga elementët origjinalë të përdorur gjatë hetimeve, duke e kthyer këtë hapësirë në një dëshmi të rëndësishme të së kaluarës dhe një vend reflektimi për brezat e rinj.
