Kalaja “Rozafa” mirëpriti natën e dytë të festivalit “Za Fest”, duke u shndërruar në një skenë të veçantë të muzikës bashkëkohore. Tingujt dhe performancat e artistëve krijuan atmosferë festive brenda një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ideatori i festivalit, Vlashent Sata, u shpreh se “Za Fest” nuk është thjesht një aktivitet muzikor, por një hapësirë që bashkon artin, kulturën dhe njerëzit.

Edhe moderatorja Dojna Mema vlerësoi frymën që përcjell festivali, duke theksuar se gjatë tij krijohen miqësi të reja dhe njerëzit bëhen më të afërt me njëri-tjetrin.

Nata e dytë u pasurua nga performancat e artistëve të njohur, mes tyre Shpat Deda dhe grupi francez “Nouvelle Vague”, të cilët sollën për publikun interpretime dhe ritme të ndryshme muzikore.

“Za Fest” përmbyllet me natën e tretë, sërish në kalanë “Rozafa”, ku pritet të ngjiten në skenë artistë të tjerë. Festivali po e kthen Shkodrën në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe muzikës bashkëkohore.