Kënga shqiptare “Qingji i vogël” është përfshirë në trailerin e filmit iranian “Hijamat”, me skenar dhe regji të Nader Saeivar, ndërsa producent është regjisori i njohur iranian Jafar Panahi. Lajmi është bërë i ditur edhe nga regjisori dhe producenti kosovar Ben Apolloni, i cili ka shpërndarë trailerin në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një surprizë të këndshme përdorimin e muzikës shqiptare në një produksion ndërkombëtar.

Sipas Apollonit, fillimisht ai mendoi se nuk po e dëgjonte saktë këngën dhe e riktheu trailerin nga fillimi për ta verifikuar. Ai shtoi se ndjek me interes krijimtarinë e kineastëve iranianë dhe se përfshirja e këngës “Qingji i vogël” e ka bërë edhe më tërheqës këtë film për të. Filmi “Hijamat” pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary, një prej festivaleve më të rëndësishme të kinemasë në Evropë.

Përdorimi i një kënge tradicionale shqiptare në këtë produksion përbën një tjetër dëshmi të pranisë së kulturës dhe muzikës shqiptare në skenën ndërkombëtare të artit dhe filmit.