Shkodra mbetet një nga qarqet me fluksin më të lartë të qarkullimit në vend, për shkak të pikave kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit, si edhe destinacioneve turistike që shtrihen nga bregdeti deri në Alpet shqiptare.

Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore në Shkodër, Ermal Zenelaj, bën të ditur se gjatë sezonit veror masat janë përqendruar pikërisht në akset me ngarkesën më të madhe të lëvizjes, me synim garantimin e sigurisë rrugore.

Sipas Policisë Rrugore, qëllimi kryesor nuk është vendosja e masave administrative, por parandalimi i shkeljeve dhe ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit.

Shifrat e gjashtëmujorit të parë të vitit tregojnë një fluks të lartë lëvizjesh në pikat kufitare të qarkut Shkodër. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 2.14 milionë hyrje-dalje shtetasish dhe rreth 950 mijë automjete, ose mesatarisht 11 mijë e 800 shtetas dhe 5 mijë e 250 mjete çdo ditë.

Ndërkohë, të dhënat flasin për një përmirësim të treguesve të sigurisë rrugore. Numri i aksidenteve ka rënë nga 55 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 34 gjatë të njëjtës periudhë të këtij viti, pra 21 aksidente më pak. Edhe numri i viktimave është ulur ndjeshëm, nga 13 në 4, ndërsa të plagosurit rëndë kanë rënë nga 8 në 6 dhe të plagosurit lehtë nga 49 në 35.

I vetmi tregues që ka shënuar rritje është ai i aksidenteve me dëme materiale, të cilat kanë kaluar nga 208 në 241 raste.