Letërsia ishte kryefjalë e natës së parë të edicionit të ri të “Za Fest”, i cili nisi në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës.
Të ftuara të mbrëmjes ishin dy emra të njohur të artit të fjalës, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, të cilat ndanë me publikun reflektime mbi poezinë, rolin e saj dhe zhvillimet që e kanë shoqëruar ndër vite.
Më herët, për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar kushtuar rrugëtimit të “Za Fest” ndër vite, që nga edicioni i parë i zhvilluar në Theth.
Kjo mbrëmje u mbyll nën tingujt e muzikës së artistes Linda Rukaj, e cila solli një atmosferë të veçantë për publikun. “Za Fest” shënon këtë vit edicionin e tij të dhjetë, ndërsa dy netët e tjera të festivalit do të zhvillohen në kalanë e Rozafës.
