Bashkia Shkodër do të nisë zbatimin e një nisme për sistemimin e tregtarëve ambulantë që ushtrojnë aktivitetin në hapësirat publike të qytetit. Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku Benet Beci, i cili tha se projekti synon t’i japë zgjidhje një problemi të kahershëm. Sipas Becit, aktualisht rreth 100 tregtarë shesin produktet e tyre në trotuare, duke penguar lëvizjen e qytetarëve. Për këtë arsye, Bashkia do të krijojë “Tregjet e Lagjeve – Pika e Fshatarit”, ku do të vendosen tezga të lëvizshme në pika të dedikuara të lagjeve.
Kryebashkiaku bëri të ditur se tregtarët do të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre pa pagesë, në kushte të organizuara dhe sipas standardeve të përcaktuara nga bashkia. Sipas tij, modeli i ri do të çlirojë trotuaret dhe hapësirat publike, do t’u ofrojë fermerëve dhe tregtarëve një vend më dinjitoz për shitjen e produkteve, do të afrojë produktet e freskëta pranë banorëve dhe do të kontribuojë në rritjen e pastërtisë dhe rregullit në qytet.
Beci theksoi se kjo është faza e parë e një transformimi që, sipas tij, do të shtrihet në të gjitha lagjet e Shkodrës.
