Bashkia Shkodër ka publikuar kalendarin e aktiviteteve artistike dhe kulturore që do të zhvillohen gjatë muajve korrik dhe gusht, duke sjellë një program të pasur me festivale, koncerte dhe evente në qytet dhe në zonat turistike.

Sezoni i eventeve nisi më 23 korrik me “Za Fest” në Muzeun Historik të Shkodrës, për të vijuar më 24-25 korrik në Kalanë Rozafa. Më 29 korrik do të performojë Anxhela Peristeri në sheshin përpara Bashkisë, ndërsa më 31 korrik në Velipojë do të ngjiten në skenë Arsi Bako, Endrik Beba, Rei Bezhani, Martina Serreqi, Eldis Arrnjeti dhe Frensi Revania.

Programi vijon gjatë muajit gusht me koncertin e Mateus Frrokut, “Dua Fest”, “Youth Wave”, “San Fest”, “Velipoja Fest”, “Dajçi Fest”, si dhe “Festa e Këngës”, “Festa e Gurit të Zi” dhe “Festa e Verës”.

Përmes këtij kalendari, Bashkia Shkodër synon të promovojë jetën kulturore, turizmin dhe argëtimin gjatë sezonit veror, duke ofruar aktivitete për banorët dhe vizitorët në disa prej pikave më të rëndësishme të qytetit dhe zonave përreth.