Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës, Kliti Hoti, reagoi me një deklaratë për mediat lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e furnizimit me ujë në qytetin e Shkodrës, pas ndërprerjes së njoftuar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime për shkak të punimeve në rrjetin e ri të ujësjellësit në stacionin e Dobraçit.

Hoti deklaroi se mijëra familje shkodrane kanë mbetur pa ujë për orë të tëra, ndërsa në disa zona ku furnizimi është rikthyer, sipas tij, nga rubinetat rrjedh ujë i turbullt dhe i papërdorshëm. Ai e cilësoi situatën të papranueshme, veçanërisht në ditët me temperatura të larta, duke theksuar se Shkodra, ndonëse një nga zonat më të pasura me burime ujore, po përballet me mungesë të ujit të pijshëm.

Deputeti demokrat ngriti pikëpyetje mbi investimet e realizuara ndër vite në rrjetin e ujësjellësit, duke deklaruar se janë shpenzuar mbi 20 milionë euro pa dhënë rezultatet e pritshme. Sipas tij, qyteti vijon të përballet me ndërprerje të shpeshta të furnizimit, mungesë të ujit 24 orë në shumë lagje, mungesë investimesh në zonat periferike dhe cilësi të dobët të ujit.

Në deklaratën e tij, Hoti u ndal edhe te kostoja e shërbimit, duke pretenduar se çmimi i ujit është rritur me 37.5%, ndërsa qytetarët përballen me tarifa shtesë për lidhjet e reja dhe dëmtimet e matësve.

Në përfundim, deputeti i PD i drejtoi disa pyetje publike Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime dhe Bashkisë Shkodër, duke kërkuar të dihet se kur do të rikthehet furnizimi normal me ujë, nëse janë kryer analizat e cilësisë së ujit që po furnizohet, sa janë humbjet reale në rrjet pas investimeve të kryera dhe kush do të mbajë përgjegjësi për situatën. Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të garantojnë furnizim të rregullt dhe me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Shkodrës.