Marrëdhënia me librin mbetet e veçantë për çdo lexues, pavarësisht stinës. Megjithatë, gjatë verës ndryshon ritmi i leximit dhe sidomos numri i aktiviteteve që synojnë afrimin e publikut me librin.
Për shkrimtarin e ri Suad Arilla, interesi për leximin mbetet i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës aktivitetet letrare reduktohen ndjeshëm.
Sipas Arillës, në këtë situatë ndikojnë edhe kushtet që ofrojnë libraritë. Edhe në Shkodër mungojnë hapësirat e përshtatshme dhe dinjitoze, ku lexuesit të mund të qëndrojnë, të diskutojnë dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin përmes librit.
Krijimi i ambienteve të dedikuara për promovime, takime me autorë dhe diskutime letrare do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënies së qytetarëve me librin, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur jeta kulturore përqendrohet kryesisht te aktivitetet në natyrë.
