Prej pak kohësh në vend ka nisur procesi i inventarizimit të shtigjeve malore, një nismë që synon evidentimin e itinerareve ekzistuese dhe identifikimin e shtigjeve të reja me potencial turistik. Puna ka nisur edhe në qarkun e Shkodrës. Udhërrëfyesi turistik Kastriot Faci thotë se procesi do të shërbejë për krijimin e një harte të plotë dhe të përditësuar të shtigjeve malore në këtë zonë.
Inventarizimi është i lidhur ngushtë me kushtet atmosferike dhe stinët e vitit. Terrenet e vështira, ndryshimet e motit dhe aksesueshmëria e disa zonave krijojnë sfida gjatë evidentimit dhe përshkrimit të itinerareve. Të dhënat e mbledhura pritet të përfshihen në një platformë informuese, e cila do të ndihmojë në promovimin e turizmit rural, rekreacionit në natyrë dhe turizmit të aventurës.
Platforma synon gjithashtu të rrisë sigurinë e vizitorëve, të mbrojë mjedisin dhe të kontribuojë në ruajtjen e florës dhe faunës në zonat malore. Harta e re do të përmbajë informacion të detajuar për çdo itinerar. Të dhënat do të paraqiten edhe në tabela publike, ku shtigjet do të klasifikohen sipas gjatësisë, vështirësisë dhe kushteve të terrenit, nga itineraret e lehta deri te shtigjet malore më të vështira.
