Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Blerta Dragusha, prezantoi vizionin dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e institucionit, ndërsa u bëri thirrje maturantëve që të zgjedhin këtë universitet për vijimin e studimeve të larta.

Gjatë deklaratës për mediat e pranishme, Dragusha renditi tri shtyllat kryesore mbi të cilat do të mbështetet puna e universitetit: rritja e cilësisë në mësimdhënie, zhvillimi i kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit, si dhe vendosja e studentit në qendër të politikave universitare.

Një prej objektivave kryesore është akreditimi institucional dhe akreditimi i programeve të studimit, me synim garantimin e standardeve më të larta dhe përafrimin e ofertës akademike me kërkesat evropiane.

Në drejtim të ndërkombëtarizimit, universiteti synon zgjerimin e bashkëpunimeve dhe rritjen e pjesëmarrjes në programet Erasmus+, Horizon Europe dhe IPA. Deri tani janë fituar dy projekte Erasmus+ Mobility, në bashkëpunim me Universitetin e Leuvenit në Belgjikë dhe Universitetin e Salentos në Itali.

Rektorja bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Arsimit ka miratuar dy programe të reja studimi: “Administrim Biznesi” në gjuhën angleze dhe “Psikologji Ligjore”. Ndërkohë, janë miratuar edhe tri projekte kërkimore-shkencore në kuadër të thirrjeve kombëtare.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet studentëve, përmes programeve bashkëkohore, mundësive të mobilitetit, diplomave të dyfishta dhe zgjerimit të ofertës akademike në gjuhën angleze. Gjatë muajve korrik dhe gusht do të zhvillohet një fushatë intensive promovimi për të prezantuar programet e studimit, jetën studentore dhe mundësitë që ofron universiteti.

Dragusha theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkinë Shkodër, duke veçuar Kartën e Studentit si një instrument që mbështet studentët dhe u siguron atyre përfitime konkrete.

Në përfundim, rektorja ftoi maturantët që të bëhen pjesë e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke e cilësuar atë një institucion në zhvillim, me standarde në rritje, mundësi ndërkombëtare dhe një vizion të qartë për të ardhmen.