Nga Rozafa Shpuza

Ka rrugë që lindin prej gurit, por ka edhe rrugë që lindin prej nji andrre.

Kur Galeria ODA hapi dyert në vitin 2018, pakkush besonte se nji galeri e vogël, e strehueme në nji shpi mbi 150-vjeçare, kishte me i rezistue kohës. Kishte vështirësi ekonomike, kishte mosbesim, e shpesh edhe indiferencë prej atyne që duhej me e mbështetë artin. Por arti e ka nji fuqi që nuk matet me metra katrorë e as me buxhete. Matet me zemër. Me besim.

E ODA ia doli. Në këto vite nuk u ba veç nji galeri. U ba nji derë e hapun për qindra artistë prej mbarë botës, nji strehë për talentet e reja, nji vend ku u takuen kultura, miqësia e dashnia për krijimin. Brenda atyne mureve të vjetra kanë marrë frymë piktura, fotografi, poezi, tinguj muzikore, bisedat e pafundme e emocionet që vetëm arti din me i falë.

E, pa u ndie, filloi me ndryshue edhe rruga. Rruga që picigjatohet prej Trumës së Dugajve të Reja deri te Kisha Ortodokse nisi me marrë nji tjetër frymë. Mbas Galerisë ODA erdhën studiot e artistëve. Spari erdhi Lindita, mandej Kola, Mensuri, Idiri e pak ma ndej Shpëtimi. Secila studio ishte si nji dritë që ndizte tjetrën, derisa kjo pjesë e qytetit fitoi emnin që e meriton: “Rruga e Artistëve”

Sot, Rruga e Artistëve nuk asht veç nji segment i Shkodrës. Asht nji vendtakim. Nji hapësinë ku arti del prej mureve e bahet pjesë e jetës së përditshme. Çdo ditë aty ndalen turistë, artdashës e vizitorë të shumtë. Hyjnë në galeri, trokasin në studio, bisedojnë me artistët, njohin Shkodrën përmes ngjyrave, telajove e historive që secili krijues mban me vete.

Kjo rrugë nuk u ndërtue me beton. U ndërtue me pasion. Me njerëz që besuen se arti nuk asht luks, por frymë. Se arti ka fuqinë me e ndryshue nji lagje, me i dhanë identitet nji rruge e me e ba nji qytet ma të bukur.

Jam e lumtun që Galeria ODA ishte fara e parë e kësaj historie. Jo për meritë personale, por sepse çdo andërr që mbillet me dashni ka fuqinë me çelë degë të reja. E sot, kur ec nëpër Rrugën e Artistëve e shoh dyer studiosh të hapuna, vizitorë që ndalen, turistë që fotografojnë e artistë që krijojnë, e kuptoj se ia ka vlejtë çdo sakrificë.

Uroj që Rruga e Artistëve të vazhdojë me u rritë. Me u pasunue me studio të reja, me ekspozita, me muzikë, me poezi e me jetë. Sepse qytetet nuk mbahen mend vetëm për gurët e tyne. Mbahen mend për shpirtin që kanë.

E shpirti i kësaj rruge flet gjuhën e artit.