Shiroka po tërheq çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, duke u shndërruar në një prej destinacioneve më të preferuara për pushime dhe aventura pranë Liqenit të Shkodrës.

Bukuria natyrore, qetësia, mikpritja e banorëve dhe gastronomia vendase janë disa prej elementeve që vlerësohen më së shumti nga turistët. Përvojës së tyre i shtohen edhe aktivitetet sportive në ujë, si lundrimi me dërrasë SUP, që ofron një mënyrë ndryshe për të eksploruar liqenin dhe zonën përreth.

Maxim, një turist nga Belgjika, do të qëndrojë disa ditë në Shqipëri. Ai thotë se është impresionuar nga uji i ngrohtë, qetësia dhe atmosfera që ofron Shiroka.

Edhe turistët nga Anglia e cilësojnë Shirokën një prej vendeve më të bukura që kanë vizituar. Ata vlerësojnë veçanërisht sjelljen miqësore të banorëve, klimën dhe ushqimin tradicional.

Vizitorët shprehen se do t’ua rekomandojnë Shirokën familjarëve dhe miqve të tyre, ndërsa planifikojnë të vazhdojnë eksplorimin e Shkodrës dhe zonave të tjera turistike të Shqipërisë.

Vlerësimet e turistëve janë dëshmia më e mirë se Shiroka po forcon profilin e saj si destinacion turistik, ku natyra, gastronomia dhe aktivitetet ujore ndërthuren për të krijuar një përvojë të veçantë verore.

Të mahnitur nga bukuritë e zonës dhe mikpritja, vizitorët po kthehen njëkohësisht në ambasadorët më të mirë të Shirokës dhe të turizmit shkodran.