Për herë të parë, 16 kineastë nga vende të ndryshme të botës do të qëndrojnë për dhjetë ditë në Shkodër, në kuadër të rezidencës ndërkombëtare kinematografike “Kino on the Road”. Gjatë qëndrimit të tyre, pjesëmarrësit do të realizojnë filma me metrazh të shkurtër, të frymëzuar edhe nga qyteti, të cilët do të shfaqen në përfundim në Kinema “Republika”.
Organizatorët bënë të ditur se projekti realizohet në bashkëpunim mes Teatrit “Migjeni” dhe qendrës “Slow Mill” në Milano. Kjo nismë sjell për herë të parë në Shkodër një grup të gjerë kineastësh ndërkombëtarë, të cilët do të punojnë së bashku për krijimin e filmave të shkurtër.
Kjo rezidencë shërben si një përvojë me vlerë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët do të kenë mundësi të shkëmbejnë njohuri, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë përmes praktikës. Filmat e realizuar gjatë rezidencës ndërkombëtare do të prezantohen në një shfaqje përmbyllëse në Kinema “Republika”.
