Artistja shqiptare Sidita Islami ka përfaqësuar Shqipërinë në ekspozitën ndërkombëtare “Unity, Hope and Peace”, e hapur më 15 korrik në Muzeun Ndërkombëtar të Artit MIIT në Torino, Itali. Ekspozita, e organizuar në bashkëpunim me artisten Fadilja Çunmulaj Kajosevic dhe nën drejtimin e Guido Folco, bashkon krijues nga vende të ndryshme të botës përmes një dialogu artistik mbi unitetin, shpresën dhe paqen. 

Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë artiste nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kanadaja, India, Kroacia, Shqipëria, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u përfaqësua nga Sidita Islami dhe Anila Hetoja, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 korrik në ambientet e Muzeut MIIT në Torino.