Pesëdhjetë vjet pas përfundimit, ish-maturantët e vitit 1976 të gjimnazit “Jordan Misja” u rikthyen në ambientet e shkollës për të festuar jubileun e maturës së tyre. Takimi u shoqërua me emocione, përqafime dhe kujtime të shumta, ndërsa bashkëmoshatarët u ritakuan pas dhjetë vitesh.
Organizatori i aktivitetit, Alfred Harusha, si edhe ish-maturanti Aleksandër Hila, ndanë emocionet e këtij rikthimi në bankat e shkollës dhe rëndësinë e ruajtjes së miqësive ndër vite.
Momente prekëse përjetuan edhe ish-mësuesit si Habibe Burrja, Tef Prela, Terezina Ronkali etj., të cilët u shprehën të lumtur që panë sërish nxënësit e tyre pas pesë dekadash.
Takimi vijoi në një atmosferë miqësore, ku u ndanë kujtime nga vitet e gjimnazit, u risollën në vëmendje ngjarje të veçanta të asaj kohe dhe u nderua me respekt kujtimi i shokëve dhe mësuesve që nuk jetojnë më. Ky jubile u kthye në një festë të miqësisë, kujtesës dhe mirënjohjes për vitet që i bashkuan.
