Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël, në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, mbetet një nga pikat më të rëndësishme të trashëgimisë historike e kulturore shqiptare. Kompleksi përfshin kishën dhe shtëpinë-muze ku jetoi e krijoi për rreth 30 vite Ndre Mjeda, një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.
Përgjegjësi i qendrës muzeore, Dom Nikë Ukgjini, ndalet te vlerat arkitekturore të kishës, e ndërtuar në stil neoklasik, si dhe te elementët autentikë që e bëjnë këtë kompleks një monument me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
Dom Nikë Ukgjini shpjegon gjithashtu se restaurimi i realizuar në vitin 2012 i ka rikthyer kompleksit identitetin e tij origjinal, duke krijuar kushte më të mira për ruajtjen e trashëgimisë dhe pritjen e vizitorëve.
Rreth tre dekada të jetës dhe krijimtarisë së tij, Ndre Mjeda i kaloi në Kukël, duke e shndërruar këtë vend në një pikë referimi për studiues, nxënës dhe dashamirës të historisë e kulturës shqiptare.
Interesi për ta vizituar qendrën mbetet i qëndrueshëm. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë regjistruar 465 vizitorë, prej të cilëve 170 kanë qenë nxënës nga shkollat e Lezhës, Shkodrës dhe Tiranës. Ndërsa gjatë vitit 2025, qendra u vizitua nga 660 persona.
Veçoria e këtij institucioni është se funksionon falë financimit vullnetar dhe nuk aplikon biletë hyrjeje, duke mbetur i vetmi muze i këtij lloji në vend që mbahet në këtë mënyrë.
