Galeria “Oda” në Shkodër zhvilloi një aktivitet kushtuar artit bashkëkohor, duke mirëpritur artisten vizuale nga Kosova, Majlinda Kelmendi, e cila prezantoi projektin e saj “Intersections: Art, Space and Contemporary Narratives”, pjesë e programit evropian “Culture Moves Europe”.

Gjatë prezantimit, artistja ndau me publikun procesin e hulumtimit artistik të zhvilluar në Shkodër, si edhe mënyrën se si ky kërkim është shndërruar në një vepër artistike të lidhur ngushtë me hapësirën ku është krijuar. Në fokus të diskutimit ishin tema si kujtesa kolektive, transformimi i hapësirës urbane dhe roli i artit bashkëkohor në interpretimin e realiteteve sociale.

Aktiviteti u pasua nga një bashkëbisedim i hapur me të pranishmit, të cilët diskutuan me artisten mbi procesin krijues, frymëzimin dhe rëndësinë e projekteve ndërkombëtare që nxisin bashkëpunimin kulturor. Projekti është realizuar me mbështetjen e programit Culture Moves Europe, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Goethe-Institut.