Teatri “Migjeni” prezantoi numrin e dytë të revistës “Sipari”, një botim që synon të dokumentojë, promovojë dhe ruajë historinë artistike të një prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend. Revista publikohet çdo tre muaj dhe shpërndahet pa asnjë pagesë për lexuesit.

Nisma është ndërmarrë nga drejtori i Teatrit “Migjeni”, Gerti Palali, në bashkëpunim me Astrit Fanin dhe Suad Arillën. Sipas Palalit, revista synon të krijojë një arkiv të qëndrueshëm të jetës teatrore, duke promovuar vlerat artistike dhe kujtesën institucionale.

Në faqet e “Siparit” gjejnë vend rubrika të ndryshme, si arkivi, intervistat dhe komentet, të cilat sjellin një pasqyrë të zhvillimeve artistike dhe historisë së teatrit. Aktori dhe arkivisti Astrit Fani vlerësoi rëndësinë e dokumentimit të trashëgimisë teatrore, ndërsa bashkëpunëtori Suad Arilla u ndal te përmbajtja dhe vizioni i revistës.

Një vend të veçantë në numrin e dytë zë figura e aktorit të shquar Lec Bushati, duke rikthyer në vëmendje kontributin e tij në historinë dhe identitetin artistik të Teatrit “Migjeni”.