Shfrytëzimi i fëmijëve për lypje mbetet një fenomen ndaj të cilit Bashkia Shkodër ka shpallur zero tolerancë. Prej disa javësh, një task-forcë e përbashkët, e përbërë nga Policia Bashkiake, Shërbimi Social dhe Policia e Shtetit, po zhvillon monitorime të vazhdueshme në terren për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të shfrytëzimit të fëmijëve.
Drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë Shkodër, Edita Shoshi, bën të ditur se masat e ndërmarra kanë dhënë rezultatet e para pozitive, ndërsa kontrollet dhe ndërhyrjet do të vijojnë çdo ditë për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve dhe për të parandaluar çdo formë shfrytëzimi.
Bashkia Shkodër u bën apel qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë dhe të denoncojnë çdo rast të shfrytëzimit të fëmijëve për lypje në Sallën Operative të Policisë Bashkiake, në numrin 069 606 0992.
Sipas institucioneve, bashkëpunimi me komunitetin është thelbësor për mbrojtjen e fëmijëve, garantimin e të drejtave të tyre dhe krijimin e kushteve për një fëmijëri të sigurt.
