Strukturat e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Hetimin Tatimor, Krimin Ekonomik dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, kanë zhvilluar kontrolle në Plazhin e Velipojës për të verifikuar zbatimin e çmimit tavan të miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Gjatë inspektimeve, zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, u shpreh se çdo subjekt ka detyrimin të afishojë qartë çmimet dhe t’i zbatojë ato, duke paralajmëruar se nga dita e nesërme do të merren masa administrative dhe penalitete ndaj çdo shkelësi.
Preka u bëri thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të denoncojnë çdo rast abuzimi me çmimet pranë Sallës Operative të Policisë Bashkiake, në numrin 069 606 0992.
Sipas tij, kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e respektimit të rregullave, në mënyrë që Velipoja të mbetet një destinacion turistik ku respektohen ligji dhe pushuesit.
