Transporti publik urban vijon të mbetet një nga mënyrat më të përdorura të lëvizjes në Shkodër, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të korrikut. Gjatë një vëzhgimi të realizuar në një prej stacioneve të urbanit dhe përgjatë udhëtimit, qytetarët u shprehën se zgjedhin transportin publik pasi është më i sigurt dhe më ekonomik, por nuk fshehin shqetësimin për temperaturat e larta brenda autobusëve, si pasojë e mungesës së kondicionerëve.
Shoferi i urbanit, Petrit Zhabjaku, thotë se aktualisht shërbimi në qytet kryhet me tre autobusë. Sipas tij, transporti urban ka nevojë për përmirësim të kushteve, në mënyrë që udhëtimi të jetë më komod për pasagjerët, sidomos gjatë sezonit të verës.
Transporti publik urban funksionon çdo ditë në Shkodër dhe përdoret kryesisht nga qytetarët e moshës së tretë, të cilët e konsiderojnë një shërbim të domosdoshëm për lëvizjet e tyre të përditshme.
