Në ishullin e Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, në vitet e fundit janë zhvilluar kërkime arkeologjike në rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës. Projekti shqiptaro-francez ka dokumentuar strukturat e qytetit dhe zhvillimin e tij gjatë Mesjetës.

Gjatë gërmimeve të mëparshme është zbuluar një rrethim i ri mbrojtës, që dëshmon se Sarda ka pasur një sistem fortifikimi me tre unaza. Drejtori i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, bën të ditur se misioni arkeologjik do të rikthehet në fund të muajit gusht për të vijuar kërkimet.

Projekti realizohet në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe franceze dhe synon të zbulojë më tej historinë e një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare në veri të vendit. Përpara gërmimeve është kryer edhe pastrimi i zonës nga vegjetacioni për të lehtësuar punën e arkeologëve.