Kanë nisur punimet për rikonstruksionin e plotë të Markatës së Rusit në Shkodër, një investim i Bashkisë Shkodër që synon të përmirësojë kushtet e tregtimit të mishit dhe peshkut, duke krijuar një treg modern dhe funksional.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se projekti është pjesë e angazhimit të institucionit për modernizimin e tregjeve publike dhe vendosjen e standardeve evropiane në ofrimin e shërbimeve.

Projekti parashikon ndërtimin e një markate me standarde bashkëkohore higjieno-sanitare, duke përmirësuar kushtet e punës për tregtarët dhe duke garantuar më shumë siguri për konsumatorët. Investimi synon gjithashtu t’i japë fund tregtimit në ambiente të papërshtatshme dhe të krijojë një hapësirë më të organizuar për aktivitetin tregtar.

Rikonstruksioni i Markatës së Rusit vjen pas investimeve të tjera të Bashkisë Shkodër në këtë zonë dhe synon të përmirësojë më tej infrastrukturën tregtare, duke rritur standardet e shërbimit dhe duke krijuar një mjedis më të rregullt e funksional për tregtarët dhe qytetarët.