Vllaznia i ka dhënë fund aventurës së saj në UEFA Conference League që në turin e parë, pasi është mposhtur me rezultatin e thellë 5-0 nga Malisheva në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Kosovë. Pas fitores 2-1 në takimin e parë në Shkodër, skuadra kuqeblu nuk arriti të mbrojë avantazhin dhe u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 6-2.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç dominoi ndeshjen, duke shënuar me Kreshnik Ukën në minutat 34’ dhe 52’, Dzemal Ibishin në fundin e pjesës së parë (45+2’) dhe Arbnor Veliun në minutën e 57-të. Në minutën e ‘90, Krenar Dulaj realizoi edhe golin e pestë të ndeshjes. Vllaznia zhvilloi një nga paraqitjet më të dobëta të viteve të fundit në arenën europiane, duke mos arritur të reagojë në asnjë moment përballë një kundërshtari që e kontrolloi plotësisht sfidën.
Ky eliminim përbën një zhgënjim të madh për kuqeblutë, të cilët largohen nga kompeticionet europiane që në raundin e parë, ndërsa Malisheva siguron me meritë kualifikimin në turin e dytë.
