Kampi veror “Buzëqeshim Verës”, i organizuar nga Bashkia Shkodër, është shtrirë edhe në njësitë administrative, me synimin për t’u ofruar fëmijëve një verë aktive, argëtuese dhe edukative pranë komuniteteve ku jetojnë.
Në Njësinë Administrative Rrethina, dhjetëra fëmijë janë bërë pjesë e lojërave, aktiviteteve kreative dhe edukative, duke kaluar kohë cilësore, duke krijuar miqësi të reja dhe duke zhvilluar aftësitë e tyre në një atmosferë pozitive.
Nisma synon të kombinojë argëtimin me edukimin gjatë pushimeve verore, duke u krijuar fëmijëve mundësi për të mësuar përmes aktiviteteve praktike dhe bashkëpunimit me bashkëmoshatarët.
Aktivitetet e kampit do të vijojnë gjatë javëve në vazhdim edhe në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Shkodër, në mënyrë që sa më shumë fëmijë të përfitojnë nga kjo eksperiencë verore.
