Përfshirja e Arkivit Fotografik “Marubi” në regjistrin “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s ka sjellë jo vetëm një vlerësim ndërkombëtar për trashëgiminë fotografike shqiptare, por edhe përgjegjësi më të mëdha për institucionin. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, shprehet se ky status e ka shtuar angazhimin e stafit në zbatimin e programit vjetor dhe në ruajtjen e standardeve që kërkon një vlerësim i tillë.
Bedeni bën të ditur se muzeu po punon edhe për përgatitjen e një dosjeje të re që synon të paraqitet në UNESCO, ndërsa thekson se detajet e këtij projekti do të bëhen publike në një fazë të mëvonshme.
Përfshirja në UNESCO ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në promovimin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, duke rritur interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj, si edhe duke e bërë institucionin më të njohur në arenën ndërkombëtare, sipas Bedenit.
Arkivi Fotografik Marubi u përfshi në regjistrin “Memory of the World” të UNESCO-s gjatë vitit 2025, duke u renditur mes trashëgimive dokumentare me rëndësi universale. Ky vlerësim pritet të krijojë mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare, projekte kërkimore dhe promovimin e mëtejshëm të pasurisë kulturore që ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
