Vllaznia do ta nisë sezonin e ri të Abissnet Superiore me një ndeshje në shtëpi ndaj Skënderbeut. Shorti i hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” përcaktoi kalendarin e kampionatit, i cili do të nisë më 22 gusht.
Në javën e parë, kuqeblutë do të presin Skënderbeun në stadiumin “Loro Boriçi”, në një përballje që pritet të zgjojë interes të madh te tifozët.
Edicioni 2026/27 është i 88-ti në historinë e elitës së futbollit shqiptar dhe do të zhvillohet me 10 skuadra pjesëmarrëse. Fillimisht do të luhen 27 javë, ndërsa më pas pikët do të përgjysmohen. Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën “play-off” për titullin kampion, ndërsa katër ekipet e fundit do të luajnë në “play-out” për mbijetesën.
Në javën e parë janë programuar edhe ndeshjet: Partizani–Teuta, Laçi–AF Elbasani, Dinamo–Vora dhe Egnatia–Tirana.
