Aktivistja për të drejtat e kafshëve, Oli Pero, shprehet se situata e kafshëve endacake në Shkodër ka njohur përmirësim gjatë viteve të fundit. Sipas saj, numri i qenve dhe maceve në rrugë ka rënë falë fushatave të vazhdueshme të sterilizimit, krijimit të strehëzave dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Sterilizimi mbetet një nga mënyrat më efektive dhe humane për të kontrolluar shtimin e kafshëve endacake. Për këtë arsye, edhe këtë muaj do të organizohet një tjetër fushatë falas për sterilizimin e qenve dhe maceve.

Nga 16 deri më 18 korrik, organizata “Animals Need Me” në Shkodër, veterinerë dhe aktivistë do të ofrojnë shërbimin e sterilizimit pa pagesë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga kjo nismë dhe të kontribuojnë në uljen e numrit të kafshëve të braktisura.

Nisma synon të promovojë kujdesin e përgjegjshëm ndaj kafshëve dhe të ndihmojë në përmirësimin e mëtejshëm të situatës së kafshëve endacake në qytet.